Zëri i Suedisë për Demokraci në Botë

0
215
Utrikesminister Margot Wallström Utrikesdepartementet

Një nga arritjet e mëdha të shekullit të XX-të ishte përhapja e demokracisë dhe e zhvillimit ekonomik në nivel global. Demokracia ka treguar se është forma më e mirë e qeverisjes. Ajo ofron përfitime ekonomike dhe sociale, por edhe paqe dhe stabilitet. Ajo bën të mundur që njerëzit të dëgjohen, inkurajon pjesëmarrjen dhe mundëson zgjidhjen e konflikteve në shoqëri me anë të mjeteve paqësore. Shoqëritë demokratike pozicionohen më fuqishëm në një botë, e cila ndryshon vazhdimisht.

Sidoqoftë, demokracia kërkon vëmendje dhe angazhim. Liria dhe mirëqenia e shoqërive tona duhet të mbrohet dhe të përmirësohet çdo ditë. Sepse në ditët e sotme, për të parën herë që prej viteve 1970, ka më shumë njerëz të cilët jetojnë në vende me tendenca autoritariste, sesa në vende që po shënojnë zhvillim në demokraci. Bota është – përsëri – më pak e lirë, duke përfshirë këtu edhe Europën. Gazetarët e kanë më të vështirë të përmbushin detyrën e tyre. Aktivistët e shoqërisë civile si edhe ata të të drejtave të njeriut po kërcënohen dhe përndiqen. Debatet po pushtohen nga tensioni dhe urrejtja. Teksa cënohen të drejtat dhe liritë e njeriut, shoqëritë vuajnë, ndërsa të drejtat dhe zgjedhjet e qytetarëve kufizohen. Ndikimi ndihet edhe në besimin e publikut në shoqëri dhe në politikë.

Lajmi i mirë është se asgjë nuk është e paracaktuar. Ne mund ta ndryshojmë këtë tendencë së bashku. Për këtë arsye, Suedia ka ndërmarrë nismën Drive for Democracy (Përpjekje për Demokraci). Ne do të rrisim mbështetjen tonë për demokraci në botë, për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe shtetin e së drejtës, për të luftuar korrupsionin si edhe për të përkrahur të drejtat dhe mundësitë e barabarta. Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë nëse nuk përfshihet gjysma e popullsisë. Një pjesë e rëndësishme në fuqizimin e demokracisë është vendosja e barazisë midis grave dhe burrave. Një gjë e tillë e bën jetën më të mirë për të gjithë: shoqëritë ku gratë kanë të njëjtat mundësi dhe detyrime si burrat janë më të zhvilluara, më të shëndetshme dhe më inovatore.

Ministrja e Jashtme e Suedise, Znj.Margot Wallström

Suedia do të vijojë të mbështesë reformat, të cilat fuqizojnë demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i integrimit në BE përcakton prioritete të qarta në këtë aspekt. Qeveritë në rajon do të duhet të demonstrojnë një vendosmëri më të madhe. Jetësimi i Agjendës 2030 është udhëzuesi global për zhvillim të qëndrueshëm si edhe një mjet i rëndësishëm për të pasur shoqëri demokratike të qëndrueshme.

Sfidat ndaj demokracisë ndryshojnë nga vendi në vend, por ne të gjithë mund të bëjmë hapa të rëndësishëm përpara, duke luftuar për demokracinë në vendin tonë. Shpresojmë se Shqipëria dhe vendet e tjerë do të na bashkohen në këto përpjekje. Këtë vit, Suedia dhe Shqipëria shënojnë 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Marrëdhëniet tona po zgjerohen teksa studentët shqiptarë studiojnë në Suedi, dhe gazetarët, nëpunësit civil dhe anëtarë të shoqërisë civile marrin pjesë në programe suedeze trajnimi. Me dhjetëra mijëra suedezë po e zbulojnë Shqipërinë si një destinacion turistik. E gjithë kjo i shtohet lidhjeve tona tashmë të forta.

Suedia është një përkrahëse afatgjatë e zhvillimit të Shqipërisë dhe e procesit të integrimit në BE. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë në fusha të tilla si: demokracia dhe të drejtat e njeriut, me një vëmendje të veçantë në mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile si edhe në rritjen e barazisë gjinore. Në tre vitet e fundit, me anë të aktiviteteve të ndryshme trajnuese, Suedia ka mbështetur më shumë se 13 000 gra dhe burra, vajza dhe djem në të gjithë Shqipërinë, me qëllimin për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me të drejtat e grave. Duke fuqizuar gratë dhe të rinjtë dhe duke garantuar përfaqësimin e tyre në të gjitha nivelet, ofrohet ndihmë në fuqizimin e  demokracisë në Shqipëri. Mund të bëhet edhe më shumë, të paktën për të gjetur mënyrat për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset sociale dhe politike dhe në garantimin e mundësive për të kërkuar llogaridhënie.

Ndonjëherë, mendoj për historinë e një gjyshi, i cili i rrëfente nipit të tij se si e përjetojnë njerëzit betejën e tyre të brendshme midis dy ujqërve; njëri prej të cilëve është i keq dhe tjetri i mirë. Cili prej ujqërve fiton, – pyet fëmija. Ai të cilin ne e ushqejmë, – i përgjigjet gjyshi.

Kjo vlen edhe për botën. Ne duhet të ushqejmë forcat e mira. Të mbrosh demokracinë do të thotë të promovosh paqen, prosperitetin dhe barazinë sociale. Shpresoj që të gjithë ju, e veçanërisht brezi i ri, të kenë dëshirën të marrin pjesë në këtë iniciativë.

Alertnews.al / Alert Center

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here