Samiti i Diasporës, “Shqiponja e Artë” dhe “Ambasador i Kombit”, dy çmime prestigjoze për Lazim Destanin – FOTO

0
194

“Shqiponja e Artë” dhe “Ambasador i Kombit”. Këto janë dy çmimet e larta që iu dhanë një prej figurave më të spikatura të diasporës shqiptare, filantropit të njohur Lazim Destani, gjatë zhvillimeve të Samitit të Dytë të Disasporës që u mbajt në Tiranë. Trofeu “Shqiponja e Artë” iu dorëzua Z.Destani gjatë mbrëmjes gala në Pallatin e Kongreseve, për meritat e tij si njeri human dhe histori suksese në botë, ndërsa çmimi i dytë “Ambasador i Kombit” iu dorëzua sot nga Ministri shqiptar për Diasporën, Z.Pandeli Majko, si një njeri i shquar, human dhe filantrop i njohur.

Në ceremonitë festive dhe mbramjen Gala, Lazim Destani ishte ndër personalitetet e shquara që u nderua me këto çmime, si simboli i suksesit në diasporë, si një njeri me vlera humane, një personalitet që i ka shërbyer kombit shqiptar dhe si një nga filantropët më të njohur.

Z.Lazim Destani ndodhej në Tiranë, ku mori pjesë në Samitin e Dytë të Diasporës. Në këtë samit morën pjesë autoritete shtetërore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e nga trojet tjera shqiptare, si dhe përfaqësues të shumtë nga komuniteti i bizneseve të Diasporës shqiptare. Në foltoren e samitit, u ngjit dhe filantropi Lazim Destani, i cili e vlërësoi maksimalisht kujdesjen e autoritetet shqiptare për këtë samit.

Lazim Destani gjate ceremonise ku u nderua me çmimin “Shqiponja e Arte”

“Është kënaqësi dhe me rëndësi të veçantë takimi ynë sot këtu në Tiranën e bukur, për ta mbajtur Samitin e Dytë të Diasporës. Motoja uroj të jetë ‘të bashkuar jemi më të fortë, më të fuqishëm’. Zhvillimi ekonomik i trojeve tona është me interes mbarëkombëtar dhe parësor. Unë e çmoj lart të gjithë spektrin politik, si në Shqipëri ashtu dhe në të gjitha viset tona, por kur është në pyetje zhvillimi ekonomik i atdheut mendoj se interesat politike e partiake duhet të tejkalohen. Të rinjve tanë, jo që nuk u interesojnë bindjet politike, por ata më shumë duan të kenë jetë më cilësore dhe më shumë mundësi për prosperitet dhe avancim”, theksoi Destani në fjalën e tij. Sipas tij, është domosdoshmëri e kohës, që të bashkohemi për t’i sjellë popullit dhe vendit tonë më shumë mirëqënie, prosperitet dhe zhvillim ekonomik, ndërkohë që Shqipëria është një mrekulli natyrore dhe ka një potencial dhe perspektivë të madhe ekonomike. “Po e citoj me këtë rast thënien e presidentit Xhon Kenedi drejtuar popullit amerikan në vitin 1961, ‘mos pyesni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por pyesni çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj’. Siç e theksova më lart, bashkimi bën fuqinë, vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, prandaj le t’i përvishemi punës! Le të qëndrojmë parimor e të bashkuar në këtë avantazh që na e ka sjellë koha e që është në favorin tonë!, tha Destani në fjalën e tij.

Në kadër të punimeve të Samitit të Diasporës, u mbaj dhe një takim me titull “Ekonomia dhe sipërmarrja”, ku Z.Destani ishte në panelin e këtij aktiviteti, si një bisnezmen i suksesshëm. Gjatë diskutimeve dhe fjalës së tij, Destani e vuri theksin te diaspora dhe bashkëpunimi i saj në ndihmë të zhvillimit të trojeve shqiptare. “Ne shqiptarët kemi një diasporë të madhe me shtrirje të gjerë nëpër botë. Largimi nga trojet tona ka qenë një fatkeqësi historike që na ka ndjekur ndër shekuj. Por ne kurrë nuk jemi mposhtur dhe nuk jemi dorëzuar para fatkeqësive. Gjithmonë kemi ditur t’i mbledhim forcat e t’i tejkalojmë sfidat, madje në rrethana shumë të vështira socio-ekonomike. Gjendjen e sotme ekonomike në trojet tona e shikoj si sfidën e radhës dhe sigurisht dëshiroj të jemi sa më të organizuar e sa më efikas duke i vënë potencialet tona në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit”, tha Z.Destani, sipas të cilit, “fakt i njohur gjerësisht në botë është se ekonomia e një vendi është e lidhur ngushtë me politikën dhe sigurinë e atij vendi. Andaj do t’u bëja thirrje politikbërësve në trojet tona, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij aspekti pasi investitorët, qofshin nga diaspora apo të tjerë, për investime e tyre duan të ndiejnë siguri”.

Lazim Destani gjate fjales ne Samitin e II te Diaspores ne Tirane

Më tej, Destani e vuri theksi te diaspora jonë, që sipas tij, krahas potencialit investues, kemi dhe shumë vlera të tjera mjaft të çmueshme. “Në radhët e saj kemi mjeshtër, profesionistë edhe ekspertë të të gjitha fushave. Për dekada të tëra me punë në vende të ndryshme të botës, sidomos në perëndim, ata kanë fituar kulturë pune perëndimore e janë specializuar duke arritur shumë prej tyre majat e suksesit. Po t’i referohemi gjeneratës së re që kanë dalë jashtë vendit në periudhën e fundit, ndër ta sot gjejmë aq shumë nëpër kompani, banka, spitale, universitete, kompani sigurimesh e në fusha të tjera, madje të avancuar në pozita të larta menaxhuese. Vështirë të gjendet edhe një komb tjetër i vogël me kaq shumë suksese individuale, përfshirë edhe artin e sportin. Me këtë rast, duke e çmuar shumë rininë tonë të mrekullueshme, të ndodhur si në diasporë ashtu dhe brenda trojeve tona, nga ky Samit e nga ky Panel diskutimi, Ju bëj thirrje, kontaktoni kompanitë e diasporës, si dhe kompanitë në trojet tona për t’i ofruar kapacitetet tuaja a për të ofruar bashkëpunim. Të ardhmen shikojeni me optimizëm dhe kini besim te vetja, mbi të gjitha ju inkurajoj ta keni guximin. Edhe në momentet kur jeni në situata të vështira, kurrë mos i thoni vetes ‘nuk dilet nga kjo situatë’… le t’i bashkojmë potencialet duke i gjetur rrugët e bashkëpunimit për të arritur rezulatatet dhe suksesin e synuar për të mirën e përbashkët, për të mirën e shoqërisë e të atdheut”, theksoi Destani.

Pas Samitit të Diasporës në Tiranë, Z.Lazim Destani dhe përfaqësues tjerë të shqiptarëve nëpër botë, morën pjesë në aktivitetin e zhvilluar me rastin e 575-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.

AlertNews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here