Sektori i Bimëve Mjekësore dhe Aromatike ka potencial për të rritur dhe përmirësuar performancën më shumë, duke përmirësuar praktikat e pasvjeljes nëpërmjet investimeve në Qendrat e Grumbullimit, hallkë  e rëndësishme e zinxhirit të vlerave.

Kjo është arsyeja pse RisiAlbania në bashkëpunim me Albanian Food Industry (AFI) gjatë këtij viti promovoi bashkëpunimin e aktorëve në këtë sektor nëpërmjet e Klasterit, me qëllim përmirësimin e perfomancës së këtij sektori. RisiAlbania është një projekt inovativ që financohet nga qeveria zvicerane përmes Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe që zbatohet nga Helvetas dhe Partners Albania.

Potenciali i Sektorit

Sektori i BMA, kontribuesi i dytë i eksporteve bujqësore, paraqet një potencial të madh zhvillimi. Në këtë sektor angazhohen rreth 100,000 familje rurale në shkallë vendi, të cilat sigurojnë nga aktiviteti i vjeljes dhe grumbullimit të BMA-ve një pjesë të madhe të të ardhurave për familjen. Rreth 95 % e prodhimit të përgjithshëm të BMA-ve eksportohet duke përfaqësuar 20 % të vlerës së eksporteve bujqësore të vendit.

35 kompani përpunuese dhe eksportuese në shkallë vendi prej të cilëve 15 eksportues të mëdhenj

150 grumbullues në shkallë vendi prej të cilëve 10 grumbullues rajonalë

Rreth 30 milion EUR siguruar nga eksportet e BMA në 2016

Mbi 13,000 ton eksporte në 2016

Si mund të rritet më tej perfomanca e sektorit?

Edhe pse një ndër sektorët më potencialë të eksporteve dhe bujqësisë shqiptare, ai përballet me një serë sfidash të cilat janë pengesë për rritjen e vlerës së produktit.

Nga intervistat e AFI-t me aktorë të zinxhirit të vlerave të BMA-ve, vjelës, grumbullues, përpunues dhe eksportues doli në pah se ndër problemet kryesore të sektorit është sigurimi/plotësimi i standardeve të cilësisë dhe sigurisë së produktit.

Ky problem lidhet me: 

1) praktikat e papërshtatëshme të pasvjeljes; tharja

2) kushtet e papërshtatëshme në qendrat e grumbullimit me mungesë të pajisjeve tharëse që garantojnë cilësinë e produktit; dhe 

3) ambalazhi i papërshtatshëm i BMA-ve pas vjeljes.

Për këtë arsye kërkohen ndërhyrje për përmirësimin e praktikave të pasvjeljes nëpërmjet investimeve në qendrat e grumbullimit për pajisjen me furra  tharje dhe paketimit për sigurimin e standarteve të cilësisë dhe sigurisë për produktin përfundimtar.

FURRAT E THARJES një teknologji e nevojshme për të përmirësuar cilësinë dhe standartet e BMA-ve

Investimi fillestar për blerjen e një  furrë tharje shkon nga 25,000 – 35,000 EUR në varësi të sipërfaqes së njësisë, por ky investim rikthehet shpejt nëpërmjet rritjes së cilësisë së bimëve dhe minimizimit të humbjeve  për shkak të tharjes jo të mirë të bimëve. Krahas tharjes së bimëve në furra tharje  ekzistojnë edhe alternativa të tjera si raftet tharëse dhe serat e tharjes të cilat mund të jenë të pershatshme në zonat e largëta ku sasia e BMA-ve mund të jetë e vogël.

Në vëndin tonë duhet të ndryshojë praktika që aplikohet nga fermerët sot, ku ata i dorëojnë BMA-të të thara tek grumbulluesi. Fermerët  duhet t’i dorëzojnë bimët të njoma  dhe tharja të bëhet e qëndërzuar nëpermjet furrave të tharjes apo rafteve tharëse. Bimët e vjela vendosen brenda furrës tharëse në dysheme ose në rafte tharëse. Tharja bëhet nëpërmjet qarkullimit të ajrit të nxehtë poshtë – lart dhe ndërmjet rafteve duke përhapur nxehtësinë në mënyrë të barabartë. Ajri i lagësht nxirret jashtë në atmosferë nëpërmjet kanalit dalës dhe thithjes nga termogjeneratori, e njëjta sasi ajri e freskët rifutet në furrë duke siguruar mbajtjen konstante të parametrave të tharjes, dhe duke siguruar cilësi të lartë të produktit të tharë.

Përparësitë:

  1. Cilësi e lartë e produktit në sajë të zbatimit të teknologjisë së avancuar (parametrat e mikroklimës brenda furrës)
  2. Cilësi e unifikuar e produktit duke qenë se zbatohet e njëjta teknologji e avancuar krahasuar me mënyra shumë të ndryshme dhe shpesh praktika të gabuara tharjeje nga një numër i madh fermerësh të vegjël
  3. Proces i shkurtër tharje – 8 deri 12, maksimumi 24 orë krahasuar me 5-20 ditë kur përdoren rafte tharëse ose tharje natyrale nga fermerët e vegjël
  4. Volume të mëdha të produktit të tharë duke qenë se fermeri dorëzon te grumbulluesi produkt të njomë dhe nuk shpenzon kohë për tharjen në shtëpi
  5. Volume të mëdha produkti cilësor për t’ju përgjigjur kërkesave në rritje të tregjeve të eksportit
  6. Rritje e të ardhurave për fermerët e vegjël (sasia dhe çmimi)
  7. Shërbim i ofruar për një numër të madh fermerësh në zonë në sajë të kapacitetit të dhomës tharëse
  8. Mundësi të reja punësimi (punonjës për funksionimin e dhomës së tharjes)
  9. Mbrojtje e mjedisit – mundësi për përdorim të biomasës, të mbetjeve të BMA dhe industrive të tjera (p.sh. bërsi ulliri) për të vënë në punë sistemin

Përveç interesit të drejtpërdrejtë të aktorëve të zinxhirit të vlerave BMA, këto investime mbështeten edhe nga skemat e granteve IPARD dhe skemat kombëtare, të cilat financojnë 50 – 65% të vlerës së investimit. Përveç skemave të lartpërmendura këto investime kanë mundësi të financohen edhe nga bankat e nivelit të dytë që kanë portofol për kreditim në agrobiznes.

THASËT PËR GRUMBULLIMIN E BMA

Shqetësimi tjetër me të cilin përballet sektori dhe që cënon cilësinë e produktit është edhe ambalazhi. Pas vjeljes në shumë raste bimët futen në thasë të papërshtatshëm, si p.sh. thasë për pesticide, miell etj., të cilët kontaminojnë produktin dhe ulin cilësinë, vlerën dhe konkurueshmërinë e tij, jo vetëm në tregun vendas por ç’është më e rëndësishme në tregjet e eksportit.

Thasët nuk janë të personalizuar, janë të paidentifikuar. Kjo krijon vështirësi me sistemin e gjurmueshmërisë për cilësinë. Zgjidhja që zugjerohet është përdorimi i thasëve plastikë me material të çertifikuar për paketim ushqimesh (polypropylene) që ofrohen nga dy kompani vendase. Dimensionet e mëdha të thasëve nuk e inkurajojnë fermerin për t’i përdorur për qëllime të tjera.

Prodhuesit e thasëve për ambalazhin e bimëve mjekësore aromatike ofrojnë madhësi të ndryshme thasësh, Shirita me ngjyra të ndryshme në anë të thasëve për personalizim (të kuqe, blu, të gjelbër), Mesazhe të printuara në thasë – logo e grumbulluesit, përpunuesit, mesazh me fjalë lidhur me rëndësinë e përdorimit të thasëve, etj. dhe Kode – barkode të furnizuesit të bimëve, grumbulluesit, përpunuesit, të rëndësishme për vendosjen e një sistemi gjurmueshmërie. Në këtë mënyrë eksportuesit mund të ndërtojnë sisteme më të mira gjurmueshmërie dhe procesi i certifikimit bëhet më i lehtë.

Potenciali i këtij sektori është më i lartë nëse investojmë në teknologji të reja dhe përmirësojmë cilësinë e produktit. Mbështetja për këtë sektor nuk është vetëm ndihmë që i jepet biznesit, por edhe një investim në të ardhmen e vendit, pasi nxit punësimin e të rinjve në zonat rurale, ku e vetmja mundësi të ardhurash janë BMA-të. Duke u dhënë mundësi punësimi familjeve të zonave rurale, kontribuohet në mbajtjen e fuqisë punëtore në vend.

AlertNews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here