TIRANË, 12.11.2019 – Në kuadër të projektit studimor “Diaspora si një burim për ruajtjen dhe përmirësimin e monumenteve kulturore më pak të njohura në Shqipëri”, gjashtë studiues të rinj të Diasporës shqiptare në Itali, që kanë studiuar në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Firences, prezantuan sot rezultatet paraprake të studimit të tre monumenteve kulturore në fshatrat e Bashkisë Përmet: Kisha e Shën Mërisë në Leusë; Ura e Katiut në Bënjë dhe hapësira përreth Kishës së Shën Mërisë në Kosinë. Puna kërkimore është bërë e mundur përmes teknikave inovative të skanimit 3D me lazer (“points cloud”) nga Laboratori i Vëzhgimit Digital i Departamentit të Arkitekturës, në Universitetin e të Firences, Itali.

Aktiviteti u mbajt më 12 nëntor 2019 në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Tiranë. Në këtë aktivitet morën pjesë Z. Luca Maestripieri, Drejtori i Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim; Sh. T. Z. Pandeli Majko, Ministri i Shtetit për Diasporën; Sh. T. Znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës; Sh. T. Z. Alberto Cutillo, Ambasador i Italisë në Shqipëri; Z. Brian J. Williams, Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri; Znj Manoela Lussi, Drejtuese e Programit të IOM për Diasporën në Shqipëri; Prof. Antonio Lauria, Departamenti i Arkitekturës, Universiteti i Firences në Itali, si dhe një nga pjesëmarrëset në Skemën për angazhim afatshkurtër (fellowship), skemën e Fellowship-it të Programit të IOM për Diasporën në Shqipëri, Znj. Valbona Flora, e angazhuar në këtë projekt studimor.

Projekti studimor zhvillohet në kuadër të skemës së Fellowship-it të Programit të IOM për Diasporën në Shqipëri “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë” dhe është përqendruar në pesë fshatra (“raste studimore”) në Përmet – Bënjë, Leusë, Kosinë – në fshatin malor të Razmës (Shkodër) dhe fshatin bregdetar të Zvërnecit (Vlorë).[1] Gjithashtu, hulumtimi përfshiu edhe 13 studentë të tjerë në takimet edukative tematike të organizuara pjesërisht në Itali dhe pjesërisht në Shqipëri, për të realizuar studimin dixhital të këtyre pasurive kulturore.

Kjo nismë promovon transferimin e njohurive dhe aftësive të Diasporës shqiptare në dobi të vendlindjes së tyre dhe përfshin tre faza të rëndësishme: 1) Faza e Analizës së studimit të potencialit të pesë fshatrave; 2) Faza e Modelimit, për hartimin e një Udhëzuesi për zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre zonave; 3) Faza e Pilotimit për të vlerësuar zbatueshmërinë e Udhëzuesit. Udhëzuesi i hartuar do ti dorëzohet autoriteteve përkatëse shqiptare në nivel lokal dhe kombëtar për ta përdorur, qoftë për restaurimin e këtyre monumenteve apo planet e zhvillimit të këtyre zonave.

“Sot të gjithë aktorët e kanë kuptuar se Diaspora shqiptare po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë dhe është e nevojshme që të mbështeten mënyra të reja për të nxitur ruajtjen e lidhjeve të saj me Shqipërinë dhe për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe sociale të vendit,” vuri në dukje Znj. Manoela Lussi, Drejtuese e Programit të Diasporës së IOM në Shqipëri. “Anëtarët e Diasporës shqiptare në Itali po demonstrojnë se jo vetëm mund të jenë një faktor zhvillimi, por edhe ‘ndërtues të urave’, për të mundësuar lidhjen mes traditave dhe lehtësimin e qarkullimit të kapitalit njerëzor, shoqëror dhe financiar mes Italisë dhe Shqipërisë.”

“Bashkëpunimi Italian mbështet Diasporën në shumë vende. Diaspora shqiptare është një nga komunitetet më aktive dhe të talentuara. Është thelbësore që të përfshihet pjesa më e kualifikuar e saj për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Programi i Diasporës i zbatuar nga IOM dhe i financuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim është nisma më e madhe e diasporës që po zhvillohet në Shqipëri. Puna e shqiptarëve të talentuar rrit mundësitë e komuniteteve dhe  vendeve. Kjo nismë është rezultat i një veprimtarie gjithëpërfshirëse koordinimi, me një ndikim pozitiv dhe inovativ si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. Bashkëpunimi Italian është krenar dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë për të arritur të gjitha rezultatet e rëndësishme të pritshme, veçanërisht në ruajtjen dhe forcimin e Trashëgimisë Kulturore lokale, një sektor në të cilin Italia është një partner dhe udhëheqës i njohur i bashkëpunimit në botë,” tha Z. Luca Maestripieri, Drejtor i Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim.

Koordinatori i Përhershëm i OKB në Shqipëri, Brian J. Williams nënvizoi kontributin që Diaspora shqiptare mund të japë drejt zhvillimit të qëndrueshëm: “Migracioni ka një ndikim të madh në profilin demografik të Shqipërisë. Por, migracioni gjithashtu mund të sjellë përfitime. Njerëzit jashtë vendit mësojnë aftësi dhe qasje të reja ndaj biznesit dhe qeverisjes, fitojnë kapital që mund të investohet dhe krijojnë lidhje mes vendeve. Përmes programit të IOM, OKB është e kënaqur të mbështesë migracionin rrethor dhe angazhimin e diasporës në zhvillimin e Shqipërisë.”

Sipas statistikave, nga 1.4 milion shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, rreth 500,000 prej tyre jnë Itali.

“Kjo nismë është një shembull i përsosur për ndërtimin e lidhjeve, shkëmbimin e informacionit dhe përvojave të Diasporës së kualifikuar shqiptare,” theksoi Z. Pandeli Majko, Ministri i Shtetit për Diasporën. “Si kurrë më parë Shqipëria ka nevojë për njerëzit e saj dhe njohuritë e tyre.

“Po aq i rëndësishëm sa dhe kontributi profesional, është edhe mundësia që kjo nismë na ofroi, duke na sjellë më afër me vendlindjen tonë. Për disa prej nesh kjo është një përvojë unike për t’u rikthyer në Shqipëri pas shumë vitesh. Jemi krenarë që kemi arritur të vendosim një ‘gur’ në këtë urë që synon të lidhë Diasporën Shqiptare me atdheun,” thotë Valbona Flora, pjesëmarrëse në skemën e Fellowship-it të Programit të IOM për Diasporën në Shqipëri, ndërsa ndan përvojën e saj personale të angazhimit në këtë studim.

Programi “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”, zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, Agjencia e OKB për Migracionin, financohet nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), në koordinim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Për më shumë informacion mbi Programin e IOM për Diasporën në Shqipëri, ju lutemi kontaktoni: iomtiranadiaspora@iom.int. Për më shumë informacion për IOM në Shqipëri dhe Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, ju lutemi vizitoni: albania.iom.int dhe aicstirana.org

Alert Center / AlertNews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here