Kur do të jemi më të sigurt për ushqimin? Flet kreu i AKU, Ismaili: Ja si do veprohet

0
2321

“Realisht jemi keq me sigurinë ushqimore”. Kjo frazë u artikulua nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi gjatë takimit të dytë ndërsektorial të bujqësisë, ndërsa në këta muaj të qeverisjes së majtë është lënë të kuptohet se garantimi i standardeve në ushqim është një prioritet. Sipas qeverisë së re kjo është reflektuar edhe në buxhet, ku investimet për vitin 2018 pritet të rriten me 270 milionë lekë, në krahasim me 2017-ën.

Me këto investime parashikohet blerja e 42 makinave të reja për inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe blerja e pajisjeve dhe investimeve në laboratorë në vlerën 111 milionë lekë. Por, për kreun e AKU-së, Agim Ismaili problemi në drejtim të garantimit të sigurisë ushqimore nuk janë paratë, por njerëzit dhe vullneti. Në këtë intervistë, dhënë për ‘Scan Magazine’ Ismaili shprehet se kjo nuk mungon, ndërsa shpjegon në detaje planin për ndryshimin e situatës.

Ismaili, në këndvështrimin tuaj si paraqitet siguria ushqimore në vend?

Në planin e përgjithshëm, Shqipëria ka stabilimente që prodhojnë në standarde, ka institucione kontrolli që në njëfarë mase kryejnë detyrat e veta, ka një biznes të interesuar për t’u ofruar konsumatorëve prodhime të sigurta, importon nga vende dhe rrjete evropiane në ndjekje të çështjeve të sigurisë ushqimore, ka supermarkete dhe investime serioze për standarde e për rrjedhojë Shqipëria i ka kapacitetet dhe ofron ushqim dhe produkte të sigurta në çdo pikë të territorit. Kjo nuk do të thotë  se nuk ka rreziqe dhe nuk është problem siguria ushqimore, madje kemi probleme të shumta, por nuk mund të themi se jemi të rrezikuar në ekstrem, sikurse shumë herë ekzagjerohet.

Cilët janë disa prej sektorëve më problematikë sipas jush?

Më problematike janë produktet me origjinë shtazore. Nga vetë natyra e tyre jemi gjithmonë më të rrezikuar.

Puna juaj filloi pikërisht me disiplinimin e pikave të therjes së mishit, i ngjashëm në fakt me atë të 4 viteve më parë, ku me ndërrimin e pushteteve  u ndërmor një aksion i tillë. Përse këtë herë ai është konsideruar i suksesshëm, cili është ndryshimi?

Pikë së pari dua të them se nuk jemi dakord me fjalën ‘aksion’. Këtë e them me shumë seriozitet sepse kjo fjalë presupozon një dallgë dhe më pas gjithçka kthehet siç ishte. Ky nuk është aksion: e kemi mirëmenduar këtë çështje. Si fillim, kemi rishikuar aktet mbi të cilat kryhet ky kontroll, kemi implementuar në to të gjitha kërkesat rregullatore në vend (urdhrat, udhëzimet që kanë qenë, por thjesht nuk janë zbatuar) dhe kemi vepruar duke i kontrolluar të gjitha pikat e therjes. Katër vite më parë pati një iniciativë, ndoshta edhe për shkak të entuziazmit të fillimit të qeverisjes dhe për rrjedhojë edhe lidershipi i ministrisë përkatëse bëri një përpjekje. Por kësaj radhe është vendosmëria e plotë për të mos u kthyer më në atë realitet të hidhur, i cili në fakt gjatë 4 viteve u përkeqësua edhe më tepër. Pra, nuk u arrit të vendosej një ekuilibër i ri në favor të ligjit dhe sigurisë ushqimore, madje me vitet kjo degradoi edhe më tepër. Ne kemi gjetur një situatë shumë të rëndë në aspektin e zbatimit të ligjit në therje, qoftë në drejtim të licencimit të subjekteve në kundërshtim flagrant me ligjin e më pas mungesë totale e kontrollit. Për rrjedhojë veprimtaria që po bëjmë tani, nuk ka asgjë të ngjashme me atë të asaj kohe. Ne po përdorim edhe një model të ri kontrolli për thertoret, që kanë standarde: u kemi dërguar një raport vetëkontrolli, që ata do e plotësojnë vetë listën e verifikimit dhe do kuptojnë nëse i plotësojnë standardet apo jo. Kjo është reflektuar tashmë sepse duke patur besim edhe te forca goditëse e paligjshmërisë të dikasterit tonë, do të përfshihen në një valë investimesh për të përmirësuar standardet dhe më pas kuptohet që ne jemi në proces verifikimi të mëtejshëm.

Mbyllja e pikave të paligjshme të therjes së mishit është një prej hallkave për garantimin e sigurisë ushqimore, por jo i gjithë zinxhiri . Si do të vijohet më tej në këtë drejtim?

Krahas pikave të therjes, ne kemi filluar prej kohësh kontrollin për dyqanet apo pikat e tregtimit të mishit. Janë mbyllur mbi 150 dyqane për mungesë standardesh. Janë mbi 1000 dyqane të licencuara në të gjithë vendin, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre janë kontrolluar. Kjo do të vazhdojë derisa të kthehet në kulturë, nuk do të përfundojë asnjëherë. Përveç kësaj, jemi në diskutim me Ministrinë e Bujqësisë për përmirësimin e  disa akteve rregullatore, siç janë: certifikatat e lëvizjes së kafshëve apo certifikatat veterinare të mishit, të cilat kanë nevojë për përmirësime  në disa aspekte, që të jenë dokumente më vështirësisht të falsifikueshme dhe të na krijojnë mundësi për gjurmimin e tyre.

Cili është pikësynimi juaj në drejtim të eksporteve, duke patur parasysh se aktualisht vendi ynë nuk mund të jetë prezent në tregjet e Bashkimit Evropian për shkak të mungesës së standardeve? A keni ju një projeksion për 4 vitet e ardhshme në këtë drejtim?

Rritja e standardeve dhe sigurisë ushqimore është kushti i vetëm, që i hap rrugën eksporteve të prodhimeve me origjinë shtazore dhe vetëm kur kjo të plotësohet do të mund të ndodhë. Pikësëpari, duhet të them që eksporti është i rëndësishëm në aspektin ekonomik, në mënyrë që të ketë ardhura për ekonominë dhe fermerët , por edhe motivim për të garantuar më tepër sigurinë ushqimore. Por, në vetvete objektivi ynë është t’u garantojmë siguri ushqimore qytetarëve shqiptarë dhe produkt i kësaj do të jenë edhe eksportet. Ne padyshim që kemi edhe objektiva dhe mendojmë se në harkun kohor të 2 viteve kjo do të ndodhë.

Tashmë është bërë e ditur se sikurse me mishin, ka nisur një aksion edhe në stabilimentet e qumështit. Deri më tani, cilat janë disa nga problemet e konstatuara dhe ku do të fokusohet konkretisht ky kontroll?

AKU ka komponentë të punës të gjithë spektrin e ushqimeve dhe kuptohet që risk të lartë kanë edhe produktet e qumështit. Sikurse e thashë edhe më lart, Shqipëria ka stabilimente të shkëlqyera për përpunimin e qumështit, si dhe rrjete shpërndarjeje. Duhet ta themi që këto arritje, biznesmenët shqiptarë i kanë arritur vetëm për sfidën që ata kanë në drejtim të konsumatorit, ndërsa shteti nuk ka patur ndonjë rol të madh kontrollues e kjo për shkak të dobësisë së institucioneve. Por, rritjen e këtyre bizneseve e kanë penguar baxhot informale, të cilat nuk i arrijnë standardet. Ne kemi filluar planin dhe implementimin e tyre. Sigurisht që mbyllje baxhosh dhe asgjësim të këtyre produkteve ndodhin vazhdimisht, por për ta kapur në një spektër më të gjerë, edhe në këtë rast, ne kemi riparë aktet mbi të cilat trupat inspektuese bëjnë detyrën, që t’i implementojmë të gjitha kërkesat ligjore, me qëllim që ata ta shohin vetë ku janë në raport me ligjin, si dhe të dekurajohen ata të cilët e kanë ngritur biznesin e tyre mbi bazën e paligjshmërisë. Duke i vendosur në raport me ligjin, baxhot do të duhet të ‘karikojnë’ forcat që të kryejnë investime për të arritur standardet. Kuptohet, që nga ana tjetër ministria, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka plane për mbështetje financiare. Kjo mbështetje është për të arritur standardet dhe jo për të rritur kapacitetet prodhuese.

Përveç garantimit të standardeve, një problem ndoshta edhe më i madh është cilësia e produkteve, qoftë me origjinë bimore, qoftë me origjinë shtazore. A keni ju një plan masash për të ndryshuar situatën me të cilën përballet konsumatori shqiptar në këtë drejtim?

Sigurisht, që këto janë të lidhura me njëra-tjetrën pasi një produkt i pasigurt është edhe jocilësor dhe anasjelltas. Kemi filluar punën për një studim mbi aditivët (shtesat): si përdoren dhe për të ndjekur rrugën që nga importi e deri te shpërndarja e tyre. Kjo ka lidhje me mashtrimin dhe natyrisht me cilësinë dhe sigurinë ushqimore. Jemi të vendosur që t’i japim një përgjigje dhe fakte konkrete për masat që do të merren në këtë drejtim. Masat penalizuese i ka parashikuar ligji dhe në fakt do të merren masa tejet të rënda për ata që gjenden në shkelje të tij. Kuptohet që puna jonë ka lidhje edhe me tatimet, doganat dhe krimin ekonomik, me të cilët do të bashkëpunohet.

Referuar planit tuaj, ku do të ndërhyhet më tej, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore?

Kemi kryer kontrolle të vazhdueshme në të gjitha drejtimet. Për shembull, në një stabiliment kemi bllokuar 56 tonë produkt jashtë standardeve. Kemi kryer kontrolle për vajin e ullirit, ku kemi gjetur shkelje shumë të rënda. Pra, veprimtaria jonë është shtrirë kudo, ndonëse nuk kemi dashur t’i paraqesim si diçka e bujshme, pasi unë mendoj që kjo është një veprimtari krejt normale, që duhet të ndodhë çdo ditë dhe kudo. Organigrama jonë është e ndërtuar në mënyrë të tillë, që pikërisht këtë e kanë detyrë bazike. Ndërkohë, kemi ndërmarrë një sipërmarrje të vështirë që është vlerësimi kombëtar i riskut të sigurisë ushqimore. Për këtë kuptohet që kërkohet një grumbullim të dhënash nga gjithë sektorët dhe shumë institucione që impaktojnë çështjet e sigurisë ushqimore në vend.

Kur do të jetë gati ky vlerësim?

Ne kemi vendosur si objektiv 300 ditë. Është e domosdoshme që ne të kemi një dokument bazik. Më pas, falë aktorëve që do e ‘konsumojnë’ këtë material, përmes kritikave dhe vërejtjeve, ai natyrshëm do të përmirësohet. Natyrshëm  që një dokument risku është dinamik sepse risqet ndryshojnë. Në kuadër të kësaj, po them se disa risqe janë identifikuar tashmë.

Cilat janë risqet e identifikuara deri më tani?

Ne tashmë kemi identifikuar që kontrolli për kushtet e sigurisë ushqimore në produktet me origjinë shtazore është i fragmentizuar: janë përfshirë në të drejtoritë e veterinarisë (që nga lindja e kafshës në thertore ose që nga importi në thertore), pasi zbatimin  e legjislacionit të fushës e kryejnë veterinerët e bashkive. Ndërkohë që, vetëm pasi produkti bëhet mish, kontrollin e bën AKU. Kjo do të ndryshojë dhe AKU-ja do të ketë gjithë spektrin e kontrollit. Mangësi tjetër që është identifikuar është fakti se në çështjet e sigurisë ushqimore, sipas ligjit kanë detyrime të drejtpërdrejta edhe njësitë e qeverisjes vendore. Ne kemi filluar bashkëpunimet, duke iu parashtruar domosdoshmërinë për kryerjen e detyrave të veta dhe të informojnë AKU-në në rastet kur kërkojnë shkelje, pasi mendoj që konkurrenca institucionale është e shëndetshme dhe prodhon produkt. Po ashtu, kemi në plan të kërkojmë ndryshime ligjore për personat që iu hiqen licencat apo dënohen penalisht për sigurinë ushqimore. Duhet të parashikohet në ligj që ata nuk mund të kontrollojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë një operator, që operon në fushën e sigurisë ushqimore për një periudhë të caktuar kohore. Po ashtu, mendojmë të bëjmë përmirësime edhe në Kodin Penal për çështjet e sigurisë ushqimore. Duhet ta bëjmë më të ashpër dhe më zbatueshëm sepse gjatë këtyre 2 muajve më ka surprizuar sensibiliteti dhe bashkëpunimi i policisë për çështjet e sigurisë ushqimore. Ne konstatojmë se shumica e çështjeve penale që lidhen me fushën e sigurisë ushqimore kriminalizohen vetëm për falsifikim markash dhe patentash, por kjo është shumë pak. Aktualisht ka vështirësi për të kriminalizuar çështje që lidhen me ushqimin, nëse është i sigurt apo i pasigurt.

Propozoni masa penale për personat përgjegjës që ofrojnë ushqime të pasigurta?

Po. Aktualisht është një nen, por që duhet të përmirësohet. Kemi kryer disa verifikime dhe kjo do të bëhet më së miri në kuadër të vlerësimit të riskut, për ta nxjerrë në pah sesa nuk ka funksionuar dhe më pas do të bëhen propozime konkrete për ndryshime në Kodin Penal.

Kur do i kemi gati këto ndryshime ligjore që ju përmendët?

Sërish brenda 300 ditësh. Ky është afati që kemi vendosur edhe për këtë pjesë.

Një problem i hasur ndër vite është rreziku që vjen nga tregjet informale, në të cilët AKU nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të vepruar. Si mendoni se duhet të zgjidhet kjo pjesë, nëse kemi parasysh edhe nivelin e ulët të sensibilizimit të konsumatorëve për të “braktisur” këta tregtarë?

Tregjet janë pjesë e punës së AKU-së. Unë nuk jam dakord me këtë: çdokush që është operator i biznesit ushqimor është objekt kontrolli i AKU-së. Ky ka qenë një koncept i gabuar, pasi operator ushqimor klasifikohesh për atë që bën dhe jo për atë që regjistrohesh se bën (pajisja me NIPT). Por, në lidhje me tregjet, për ta bërë më efikase punën, kemi vënë kontakte me bashkitë, sidomos me atë të Tiranës, për të sinkronizuar punën e për ta bërë më efikase. Patjetër që do i jepet një zgjidhje, në mënyrë qa ta kemi nën kontroll edhe këtë pjesë.

Një problem i konstatuar nga KLSH janë edhe problemet strukturore dhe ato të burimeve njerëzore në AKU, që sipas këtij dikasteri kanë ndikuar dhe në nivelin e inspektimeve të subjekteve që preken nga ligji “Për ushqimin”. Në vlerësimin tuaj a ekzistojnë këto probleme dhe a do të ketë një rishikim të burimeve njerëzore?

Ne do të kemi një shtim të numrit të inspektorëve sepse do të zgjerohet gama e kontrolleve të AKU-së. Pra, aty ku ka fragmentarizim të tyre, duke u mbuluar nga AKU këto shërbime, detyrimisht që do të ketë shtim. Në këtë kuadër, sigurisht që do të ketë nevojë edhe për një ristrukturim të institucionit, por duhet ta themi që kemi diskutuar gjerësisht me ministrin për këtë çështje dhe shkurtim apo heqje të inspektorëve, nuk do të ketë. Inspektorët do të hiqen vetëm në rastet kur nuk kryejnë detyrën apo kur konstatohet shkelje. Kemi një sërë procesesh disiplinore ndaj tyre, ka patur edhe arrestime, por nuk do të ketë largime për çështje strukturore.

Ka patur një iniciativë ligjore nga paraardhësi tuaj, sipas të cilës për këdo që operon në fushën e ushqimit të trajtohet në mënyrën e të bërit biznes, pasi në shumë raste shkeljet e subjekteve kryhen për shkak të mungesës së informacionit. Ju e shikoni të nevojshme këtë iniciativë?

Ne kemi konstatuar mosnjohje të ligjit nga operatorët e biznesit, për shembull në lidhje me etiketimin që lidhet me mashtrimin që u bëhet konsumatorëve, por jo vetëm. Para 10 ditësh i kemi dërguar letër një pjese të madhe të bizneseve dhe shoqatave përfaqësuese të tyre, duke u vënë në dukje shkeljet që konstatojmë gjatë procesit të etiketimit, duke u kërkuar t’i njohin dhe t’i zbatojnë në mënyrë që të ulen kostot administrative të tyre dhe tonat e që në fund të përfitojë publiku. Përveç kësaj, në faqen online të AKU kemi riaktivizuar rubrikën ‘pyetjet më të shpejta’, ku konsumatorët, por edhe bizneset të gjejnë përgjigje. Gjithashtu, sipas ligjit “Për ushqimin” subjektet kanë detyrimin të informojnë publikun në rastet kur për arsye të ndryshme nxjerrin një produkt të pasigurt në treg. Pikësëpari duhet ta tërheqin, por edhe të informojnë publikun. Kjo nuk ka ndodhur deri më sot. Subjektet bëjnë edhe vetë autokontrolle dhe përmes akteve nënligjore ne do të gjejmë një formë që vetë subjektet të njoftojnë për produktet që nuk garantojnë siguri. Ligji e parashikon që edhe në supermarkete duhet të vendosen njoftime, për shembull për një lot që ka probleme dhe konsumatorit duhet t’i kthehen edhe paratë. Por, kjo nuk është kryer deri tani. Ngjan si ‘antireklamë’ në fakt, por kjo ndodh në botë dhe është krejt e kundërta. Kjo është një reklamë për ta, pasi nëse heqim ‘bujën’ e 2-3 rasteve të para, një konsumator përballë kompanisë ‘A’, që është e përgjegjshme të njoftojë vetë konsumatorin  dhe kompanisë  ‘B’ që nuk e bën këtë, natyrshëm që do të zgjedhë atë që është më e përgjegjshme.

Një tjetër problem është mungesa e laboratorëve. Çfarë është parashikuar në këtë drejtim?

Ne kemi një laborator të akredituar, që është ai i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare. Kur mora detyrën në tetor, ai ishte jashtë funksionit për shkak se kishte dështuar tenderi për blerjen e kiteve dhe reagentëve. Tashmë është realizuar kontrata dhe çdo ditë kryhen analiza. Sigurisht që nuk ka një gamë të gjerë dhe ne planifikojmë që do të rivitalizohen laboratorët.

Si e cilësoni buxhetin e vitit 2018 për dikasterin tuaj? A është i mjaftueshëm?

Buxheti i AKU-së për vitin 2018 parashikon modernizim, pajisjen me logjistikë e me mjete dhe ka vëmendje shumë të madhe të qeverisë në këtë drejtim, çka do të maksimizojë veprimet tona ligjore. Megjithatë, problemi nuk është buxheti, por njerëzit, të cilët duhet të ndjejnë, rivitalizojnë punën e tyre, të rritin efikasitetin, performancën dhe të jenë me integritet.

Referuar faktit se qeveria e ka shpallur prioritet sigurinë ushqimore, kur mund të themi se Shqipëria do të garantojë standardet?

E them me seriozitet që Shqipëria ka kapacitete prodhuese, përpunuese, tregtuese dhe transportuese për të ofruar ushqim të sigurt në çdo skaj. Por, e çmoj të domosdoshme ta them që duhet të kemi aleat të fortë publikun, por edhe median. Publiku duhet të jetë aleat më i fortë, jo vetëm për të na informuar, gjë që ka filluar dhe unë e shoh si tregues për besimin ndaj institucionit, por të jetë edhe më kërkues për çështje të sigurisë ushqimore. Me këtë dua të them që të braktisin sa më shumë tregjet informale, pasi nëse ka kërkesë do të ketë edhe ofertë. Për shembull, duhet të ikim nga mendësia “isha vetë prezent kur u ther mishi dhe është i freskët”, pasi kjo është katastrofë. Procesi i trajtimit të mishit, para se të bëhet i gatshëm për ushqim kërkon një protokoll veterinar të rreptë për të qenë i sigurt. Këtu hyn edhe roli i veterinerit për zbatimin e protokollit për rritjen e kafshës, për vaksinimet, kontrollet para therjes dhe pas therjes. Një mish ku thuhet ‘e mora te një i njohur’ është gabim shumë i rëndë nga konsumatorët. Madje, për çdo ushqim ata duhet të marrin edhe faturën tatimore sepse në këtë moment kanë marrë një ushqim të gjurmueshëm dhe një ushqim i gjurmueshëm është i sigurt. Ne nuk kemi një studim, por ushqimet e pasigurta shqiptarët i paguajnë më shtrenjtë. Njëherë i blejnë duke e paguar, ndoshta me një çmim më të lirë, ndërsa herën e dytë i paguajnë duke blerë ilaçe apo duke paguar taksa për rimbursimin e ilaçeve. Nuk ka një studim sa është përmasa e kësaj fature, por duhet të jeni të bindur që është serioze, ndaj të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm për çështjet e sigurisë ushqimore.

Ola Mitre/SCAN Magazine

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here