Inspektorët e AKU në PIK nuk regjistruan mijëra eksporte, miliona lek dëm arkës së shtetit. Ja arsyet

0
297

Në vijim të publikimeve të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nga Alertnews.al dhe Qendra “Alert”, një nga problematikat e konstatuara është edhe fakti i mosregjistrimeve të eksporteve në Pikat e Inspektimit Kufitar Morinë dhe Han i Hotit. Inspektorët e AKU nuk kanë kryer procedurat e eksportit, duke mos regjistruar kështu dhe 8200 të tilla, si dhe një mungesë të ardhurash prej 8,2 milionë lekësh. KLSH në raportin e tij për vitet 2017 dhe 2018. Kjo nuk është kryer nga inspektorët, megjithëse auditi i brendshëm i AKU jua kishte kërkuar këtë, duke jua konsideruar dhe si shkelje.

Pjese nga raporti i KLSH per AKU-ne

Siç thuhet në raport, “DRAKU/Kukës (PIK Morinë), nga inspektorët e AKU, nuk janë kryer procedura eksporti, në asnjë rast. Nga të dhënat e Doganës, për periudhën Janar 2017 deri Gusht 2018 në këtë doganë janë kryer rreth 4200 kalime,  që nënkupton praktika eksporti, pa miratimin e inspektoreve të AKU. Njëkohësisht nuk janë kryer kalime edhe në DRAKU/Shkodër (PIK Hani Hotit) në asnjë rast dhe nga të dhënat e Doganës, rezulton se janë kryer rreth 4000 kalime (praktika eksporti) pa miratimin e inspektorëve të AKU. Gjithashtu e njëjta situatë, pra që ka procedura eksporti, pa miratimin e inspektorëve të AKU,  është edhe PIK/Porti Durrës”.

“Referuar situatës së mësipërme, ka patur rekomandime nga Auditimi i Brendshëm, për të njoftuar zyrtarisht, jo vetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, por edhe Degët Doganore përkatëse, duke kërkuar me këtë rast zbatimin me korrektësi, të akteve rregullative për këtë çështje, nga ana e Doganës. Konstatohet se këto veprime janë kryer, pra janë zbatuar rekomandimet e auditit për këtë çështje, por situata është akoma e pandryshuar. Është  rekomanduar gjithashtu edhe njoftimi, për këtë situatë edhe i Ministrisë Financave, si ministria e linjës për Autoritetin Doganor, por ky rekomandim, nuk ka gjetur akoma zbatim”, thuhet më tej në raportin e KLSH-së. Më tej, raporti thekson se, përveç aspekteve dhe detyrimeve në fushën e sigurisë ushqimore, mosparaqitja e subjekteve pranë inspektorëve të AKU dhe kryerja e procedurave doganore pa kryer procedura Inspektorët e AKU, pra pa miratimin e tyre, ka sjellë edhe mungesën e të ardhurave, i cili referuar Urdhrit të Ministrit të Bujqësisë me Nr.963 datë 21.02.2011, i cili përcakton llojin e kontrolleve që do të bëhet në PIK, për regjimin e eksportit, si dhe VKM 750 datë 14.07.2010, arrin rreth 8.200.000 lek. (1000 lek për ngarkesë për  8200 kalime, që nënkupton: 500 lek kontroll Dokumentar dhe 500 lek kontroll Identiteti) Numri 8200 kalime i referohet PIK/ Hani Hotit dhe PIK/Morinë (4000+4200)”.

Një nga problematikat e konstatuara nga KLSH për këtë situatë, është edhe numri i vogël i inspektorëve të AKU në PIK dhe boshlleqet e mungesat e punonjësve. KLSH thotë në raport se, referuar edhe strukturës dhe organikës së AKU, pranë Pikave të Kalimit Kufitar, rezulton se ka vakanca të theksuara, sepse konstatohet se ka nga 1 inspektor për sektor, i cili është i detyruar të jetë në detyrë ç’do ditë dhe me orare mbi 12 orë. Kjo situatë kryesisht në PIK/Hani Hotit, dhe së fundi edhe në PIK/Qafë Thanë dhe PIK/Kapshticë, gjë e cila bëhet shkak që prezenca e inspektorëve të AKU, nuk është gjatë gjithë kohës që kemi veprime doganore për eksportet, të cilat mund të kryhen, kryesisht në orët e para të mëngjesit, apo orët e vona të natës.

Problemi shkon edhe më tej. Inspektorët e AKU duket se nuk bëjnë asgje tjetër veç marrjes së lekëve, në rast se një subjeklt shkon pranë tyre për të kryer procedurën. Kjo, për shkak të mungesës së një dokumenti kontrolli (Akt-Kontrolli apo Proces-Verbal), format, për inspektimin në rastet e eksporteve dhe tranzitimit të produkteve.Madje, përgjegjëse për këtë, sipas KLSH-së, është Ministria e Bujqësisë. I vetmi dokument që lëshohet, në raste kur subjektet paraqiten pranë inspektorëve të AKU, përpara se të kryejnë veprimet doganore të eksportit, është fatura për arkëtim, faturë e cila lëshohet për efekt të pagesës në Bankë, të tarifës. Sipas KLSH, nga dokumentacioni i vënë në dispozicion gjatë auditimit rezulton se, formatet e caktuara për regjimin e eksportit dhe tranzitimit janë përgatitur dhe janë paraqitur për miratim në Ministrinë e linjës, por ende nuk ka një miratim për ketë.Mungesa e këtij dokumenti i jep Doganës një arsye, që të vijojë me procedurat, sepse duket qartësisht se ndalimi, fillimisht tek inspektorët e AKU është thjesht për çështje tarife dhe jokontrolli. Gjithashtu konstatohet se nuk ka edhe një miratim, në lidhje me tarifën e certifikatës së eksportit drejt Kosovës dhe Maqedonisë, megjithëse nga AKU, është paraqitur propozimi referuar kostos. “Sqarojmë se modeli i certifikatave për produktet me origjinë jo shtazore, të cilat eksportohen në Kosovë dhe Maqedoni është miratua rreth muajit Korrik 2018”, thotë KLSH.

©AlertNews.al / Qendra ALERT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here