Gjykata Administrative vendos dëmshpërblimin e pacientit me Hemofili për shkak të mungesës së trajtimit të duhur mjekësor

0
103

Një ditë më pare, më dt. 31 korrik 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi pranimin e Padisë dhe shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror në masën 2 133 330 lekë të shkaktuar pacientit B. Nezaj, si rezultat i mohimit të trajtimit të duhur mjekësor. Hemofilia është një çrregullim i trashëguar i gjakut i shkaktuar nga mungesa faktorëve të koagulimit dhe godet në mënyrë të veçantë aparatin kockor-artikular-muskular por mund të shkaktojë edhe hemoragji interne. Pacienti u përfaqësua në procesin gjyqësor nga Shoqata “Together for Life”.

Më parë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kishte konstatuar diskriminimin e pacientit për shkak se:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk kishte miratuar Protokollin Klinik për trajtimin e sëmundjes së Hemofilisë;

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë nuk siguron profilaksinë për ndjekjen mjekësore të pacientëve me Hemofili;

Pacientit B. Nezaj, nuk i është siguruar medikamenti Faktor IX në sasinë e rekomanduar nga mjeku specialist Hematolog;

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk mund të justifikohen se, mangësitë në ilace vijnë për shkak të buxhetit të kufizuar për blerjen e ilaceve;

Analiza Betehsda/Nijmegen për matjen sasiore të titrit të Inhibitorit për pacientët me Hemofili nuk mund të zhvillohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë për shkak të nevojës për trajnim të veçantë të personelit dhe kostos së lartë;

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë nuk kanë dërguar Komisionerit informacionin e detajuar lidhur me mënyrën se si është përllogaritur në buxhet, fondi për medikamente për të sëmurët me Hemofili, të dhënat teknike dhe sasiore për nevojat për ilace, etj., për të vlerësuar rregullsinë e sigurimit të Faktorit IX.

Për këto shkaqe dhe mohimit së trajtimit të duhur mjekësor nga institucionet përgjegjëse shtetërore, pacienti B. Nezaj kishte pësuar paaftësi për punë dhe paaftësi të pjesshme të përhershme në masën 30 %.

Ndjekja e kësaj çështje është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërine – OSFA.

Shoqata “Together for Life” do të vijojë ndjekjen e rrugëve ligjore që të gjithë pacientëve t’u garantohet e drejta për kujdes shëndetësor efektiv dhe efikas, në përputhje me standardet mjekësore.

Pas 6 muaj përballjesh gjyqësore ja dolëm të fitojmë 100%, pastër dhe plotësisht një nga gjyqet më të rëndësishëm që kemi bërë në këto vite. Sot, fituam gjyqin e parë në historinë e gjyqësorit shqiptar për pacientët me hemofili (sëmundje gjaku, nuk u mpikset gjaku). Shqipëria ka rreth 350 qytetarë që vuajnë nga kjo sëmundje e cila nëse nuk mjekohet çon në hemoragji të vazhdueshme me vite e deri në invaliditet të plotë të pacientit me fund tragjik, humbjen e jetës. Kjo sëmundje nëse mjekohet mund të mbahet nën kontroll duke i siguruar pacinetit jetë thuajse normale. Mjekimi i saj është i mundshëm dhe jo shumë i kushtueshëm, por duhet të jetë sistematik dhe në sasinë e duhur. Mjekimi bëhet përmes medikamenteve që quhen faktor VIII dhe IX i cili duhet të merret nga pacineti në masën rreth 12 mg në muaj përmes pilulave. Pikërisht kjo nuk është realizuar nga ana e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” duke u shkaktuar këtyre pacientëve dëm të mëdha, dëme të cilat ne i kërkuam në gjykatë në një nga rastet dhe konkretisht për shtetasin Besart Nezaj. Sot fituam në Gjykatën Amdinistrative të Shkallës së Parë duke detyruar spitalin ti paguaj pacientit një dëm prej afro 23 milionë lekë të vjetra. Sot hapëm rrugën për qindra rastet e tjera. Sot vendosëm një piketë me rëndësi në zgjidhjen e këtij problemi në nivel sistemik.

Alertnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here