Gazetarja dhe psikologia e njohur Jeta Toçila ka reaguar ashpër me anë të një statusi në facebook, ku ngre shqetësimin për cilësinë e ushqimit që po na serviret çdo ditë. Ajo shpjegon se ushqimi që hamë çdo ditë është duke na helmuar dhe vrarë. Ja statusi i plotë i reagimit të saj:

“Ushqimi zë një vend të rëndësishëm të ditës sonë, të të menduarit tonë, të sjelljes sonë, të ndjesive tona. Ai është i rëndësishëm për shëndetin fizik e mendor. Ka një ndikim të madh në humorin tonë, në marrëdhëniet tona, në festat tona, në gëzime e hidhërime, në trishtime dhe hutime. Ai është kudo, në rrugë e në shtëpi, i lirë e i shtrenjtë. Organik ose jo. I pastër ose modifikuar. Ne flasim e shkruajmë shumë për të. Disa e duan, disa e refuzojnë, por të gjithëve na bashkon nevoja për të.
Ushqim, thërret me shaka im bir sapo shtrohet tavolina! Si person në dietë të vazhdueshme, unë nuk entuziazmohem si ai, megjithatë, nuk i shpëtoj dot konsumit të ushqimit. Por ja që është një nevojë fiziologjike, në pashmangshmërinë e së cilës ne të gjithë po helmohemi dita-ditës. Ju do thoni nuk janë vetëm ushqimet. Sigurisht që ka plot faktorë, por mos ta shpërndajmë vëmendjen siç ndodh me politikanët kur bëjnë ndonjë proçkë e sajojnë lajme rozë për të sfumuar problemin. Të bësh sot pazaret e më pas të gatuash është kthyer në merak konstant. Ku do blej, sa të sigurta janë produktet, çfarë t’i ndaloj ose jo fëmijës tim?
Bisedojmë me miqtë e shkëmbejmë informacione se ku të blejmë me garanci. Kemi përfunduar me blerje me porosi anë e mbanë vendit. Mjaltin e gështenjës në Tropojë, mjaltin e luleve në Kolonjë, mishin në Gramsh, reçelrat në Përmet, djathin në Gjirokastër, vajin në Berat, fasulet në Pogradec, patatet në Kukës, qumështin me ambalazhim austriak, kosin, gjalpin, gjizën i blejmë me tahmin në dyqane me marka jugu, gjithsesi me frikë i kemi. Mendohemi e i vimë rrotull fruta e perimeve në tregje duke i vëzhguar nëse janë bio apo jo. Harrojeni që të gjeni etiketë në ndonjë domate që të të informojë nëse është OMGJ apo BIO. Disa vende e kanë detyrim ligjor këtë dhe e zbatojnë.  Gëzojmë kur shtohen miqtë meraklinj të shëndetit, të cilët mbjellin fruta e perime në baçet e tyre. Ata nuk investojnë më në shtëpitë e plazhit, por në ferma. Zemërgjerët për fat kanë edhe bollëk, furnizojnë hera-herës miqtë e ngujuar kullave të qytetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here