Fiks Fare/ Tropojë, inspektorja e AKU u hoq nga puna pasi u prishi “pazaret” kolegëve

0
276

“Fiks Fare” solli rastin e veçantë të Sose Buçpapaj, ish-inspektore e AKU-së në Tropojë, të cilës kolegët i falsifikojnë firmën për ta larguar nga puna. Shkaku: Respektonte ligjin dhe jo paranë.

Thertoret që mbylli për kushtet skandaloze hapen nga përgjegjësi i zyrës, duke i hequr edhe gjobat. Ekspertët thonë që firma i është falsifikuar, por znj. Buçpapaj përjashtohet nga gjykata si e dëmtuar nga vepra penale. Për shkak të shkeljeve procedurale dhe mosfutjes në kohë të provave, çështja sot është në Gjykatë të Lartë.

Ish-inspektorja e AKU-së në Tropojë ankohet në “Fiks Fare” se është larguar nga puna për shkak se kërkonte nga bizneset dhe kolegët e saj të zbatohej ligji për sigurinë ushqimore, sidomos për thertoret. Sipas saj dhe dokumentacionit voluminoz që disponon, inspektorë të AKU-së dhe inspektorja e Bashkisë bashkëpunuan me njëri-tjetrin për ta larguar nga puna, duke firmosur dhe stisur një ankesë nga biznese dhe inspektorë, të cilët Sose Buçpapaj i kishte gjetur në shkelje ligjore dhe u kishte vendosur gjobë.

Inspektorët kanë falsifikuar jo vetëm këtë ankesë në disa firma, por edhe procesverbalet e kontrollit, të cilat i kanë ndryshuar në favor, apo për t’i përshtatur me ankesat, dhe në fund kanë firmosur për Sosen. Ajo thotë se, nga ekspertiza që i është bërë, procesverbalet kanë rezultuar që janë falsifikuar nga përgjegjësi i zyrës së AKU-së në Tropojë dhe nga inspektorët, njëri prej të cilëve është larguar drejt Amerikës.

Thertoret dhe dyqanet e mishit, të cilat Buçpapaj i ka gjobitur në atë kohë, sot janë rihapur nga përgjegjësi i AKU-së në Tropojë. Vetëm pak kohë më parë, kur kushtet në të cilat punojnë janë bërë publike, ato janë mbyllur nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së, për shkak të kushteve skandaloze. Por, edhe pse të mbyllura dhe pa thertore të licencuara, ata punojnë pa u bezdisur nga inspektorja e Bashkisë, e cila duhet t’i kontrollojë.

Sipas Sose Buçpapajt, përgjegjësi i AKU-së në Tropojë është ende në punë, ndërsa procesi gjyqësor vazhdon prej më shumë se 5 vitesh. Çështja aktualisht është në Gjykatën e Lartë. Buçpapaj është përjashtuar nga procesi gjyqësor që në krye të herës, e për shkak të shkeljeve procedurale gjatë këtij procesi dhe mosfutjes në kohë të provave të sjella nga ajo, çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë.

Thertorja që ish-inspektorja i vuri kyçin në vitin 2014 për kushte skandaloze nuk është mbyllur asnjëherë nga inspektorja e Bashkisë. Në atë kohë, gjoba e vendosur nga inspektorja dhe urdhri i mbylljes u hoqën nga përgjegjësi i AKU-së në Tropojë. Aty u punua në ato kushte skandaloze edhe për 4 vite të tjera.

Kur çështja u bë publike dhe u ankuan te “Bashkëqeverisja” në vitin 2018, me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme u mbyll. Mbi derë u hodhën inerte që të mos hynte e të therte askush. Gazetarët e “Fiksit”, vetëm pak javë pas rimbylljes konstatuan që inertet janë larguar për të hapur derën. Aty vazhdojnë therjet në kushte “horror” dhe pa asnjë licencë.

Sipas Buçpapajt, pikërisht pas urdhrit për mbylljen e kësaj thertoreje shtetërore dhe gjobës, nisi dhe “lufta” për largimin e saj nga puna.

Gazetarët kërkuan të intervistonin përgjegjësin e AKU-së në Tropojë, por ai nuk ndodhej në zyrë. “Fiksi” vuri re që nga zyra e tij, në vijë ajore arrihej lehtësisht të kontrollohej kjo thertore, që edhe pse zyrtarisht është e mbyllur, aty vazhdojnë të bëhen therje jashtë çdo kushti dhe asnjë nuk merr masa.

Inspektoria e Bashkisë së Tropojës, e cila ka 8 vite në këtë pozicion, pavarësisht kushteve skandaloze nuk ka bërë asnjëherë mbyllje të thertoreve apo dyqaneve që punonin me mish të pavulosur. Ajo thotë se “Buçpapaj duhet të ulë kokën dhe të punojë”. Madje, ajo pranon që ish-inspektorja nuk i ka bërë mbylljet për lekë, por ka një sjellje arrogante dhe të papranueshme. Gjithashtu nuk e pranon dot faktin që ajo i ka vendosur gjobë, e për më tepër e ka akuzuar hapur për shkelje të ligjit.

Gjatë intervistës me gazetarët e “Fiksit”, ajo acarohet kur sqaron situatën dhe pretendon se ish-inspektorja nuk di të komunikojë me njerëzit. Sipas saj, gjobat dhe kontrollet që janë bërë nga Buçpapaj, sidomos për mbylljen e thertores, nuk i ka parë asnjëherë dhe nuk është vënë në dijeni. Ajo mohon kategorikisht që dyqanet e mishit shesin mish pa pullë, edhe pse janë të mbyllura nga AKU.

Ndërsa për thertoren thotë që nuk e ka parë që janë hequr dherat dhe mohon që aty të theret mish. Inspektorja në fillim thotë që është e gatshme të ballafaqohet, por kur gazetarët thërrasin Sose Buçpapajn, ajo kundërshton, pasi pretendon se nuk do t’i bëhet gjyqi publikisht dhe tërhiqet nga ballafaqimi.

Në situatën kur nuk ka asnjë thertore të licencuar, Spitali i Tropojës furnizohet me mishin e Fierit. Një tjetër firmëtar i ankesës, pas së cilës Sose Buçpapaj është larguar nga puna, është edhe kuzhinieri i spitalit. Atij i është vendosur gjobë nga Buçpapaj, pasi në magazinën e spitalit është gjetur mish i pavulosur, kushte shumë të këqija higjienosanitare dhe pa librezë higjienosanitare.

Por, kjo gjobë ju hoq më pas nga përgjegjësi i zyrës së AKU-së, i cili e cilësoi kontrollin e Buçpapajt si të pasaktë, pasi për një muaj kushtet janë rregulluar. Sipas ligjit, gjobat e vendosura ka të drejtë vetëm gjykata t’i rrëzojë.

Gjatë intervistës, drejtori i spitalit pranon se kuzhinieri vazhdon të jetë në punë, por për momentin është me leje, ndaj nuk është e mundur të intervistohet lidhur me peticionin që ka firmosur. Sipas tij, duke qenë se në Tropojë nuk ka pasur mish, tenderin e ka fituar një firmë nga Fieri.

“Për momentin që flasim mishi është i vulosur dhe i kontrolluar”, shtoi drejtuesi i spitalit.

Burimi: Top Channel

AlertNews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here