Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duket se sot është në fazën më të keqe të tij, që në kohën e krijimit si institucion, 9 vjet më parë. Pikërisht në kohën kur skandalet ushqimroe janë të shpeshta, kur flitet për ndryshime në Kodin Penal, me qëllim ashpërsimin e masave ndaj atyre që abuzojë me sigurinë ushqimore etj, AKU ndodhet dhe në një tjetër fazë kritike. Pikërisht për këtë, mbi 600 të punësuar në këtë institucion, në shkallë vendi, që prej disa ditësh janë të “mpirë”. Kjo, pasi duket se ky institucion do të shkojë drejt “shkrirjes”, ose e thënë ndryshe, drejt një reformimi total e kjo, jo në të mirë të përmirësimit të punës.

AlertNews.al ka mundur të mësojë se, prej disa javësh, Drejtori i AKU, ka nisur tentativat për ta nxjerrë këtë institucion nga Shërbimi Civil dhe më pas, të funksionojë me Kodin e Punës. Po përse ndodh kjo? Sot AKU, si dhe institucionet tjera shqiptare, funksionojnë me Ligjin Nr.152 të vitit 2013, “Për Nëpunësin Civil”. Kjo do të thotë që, çdo lëvizje në këtë institucion, kalon nga Drejtoria e Administratës Publike (DAP), nëpërmjet konkurseve e rregullave tjera që parashikohen në këtë ligj. Gjithashtu, edhe largimet nga puna, nuk mund të bëhen aq lehtë, sipas dëshirave të drejtorëve që në këtë institucion, fatkeqësisht ndërrohen thuajse çdo vit. Por, për të larguar një person nga puna, ka një procedurë që zgjat në kohë, që nga vërejtjet me shkrim, paralajmërimet, vlerësimet 6-mujore dhe vjetore të punës, deri te Komisionet Disiplinore, të cilat kanë në përbërje dhe përfaqësues të DAP dhe jogjithmonë marrin vendime që iu shkon përshtat drejtuesve të AKU.

Ndërsa me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, drejtuesi i një intitucioni shtetëror vepron si të dojë me vartësit e tij, mjafton t’i njoftojë në kohë për zgjidhjen e kontratës së punës. Dhe, siç parashikohet në Kod, punonjësi merr disa paga, në varësi të vjetërsisë në punë dhe vendi i tij zihet menjëherë.

Shpalljet ne faqen e DAP per vende vakante ne AKU

Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se, dëshira e Drejtorit të AKU për të bërë këtë veprim, është “pengesa që shkaktohet nga Ligji ‘Për Nëpunësin Civil’ dhe DAP për plotësimin e vendeve vakante në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU, si dhe në drejtoritë rajonale në qarqe.

Sot, AKU, në Drejtorinë e Përgjithshme ka vende të lira pune, 3 drejtorë, të Menaxhimit të Riskut, të Vlerësimit të Riskut dhe atë të Shërbimeve të Brendshme. Ka disa Përgjegjës Sektori, si dhe disa drejtorë rajonale në qarqe e disa inspektorë. Pikërisht me këtë pretekst, kërkohet nxjerrja e AKU nga Shërbimi Civil, pra që të mos ndiqen procedurat aktuale, konkurset etj., për plotësimin e këtyre vendeve, apo edhe largime tjera nga puna. Ndërkohë, që në faqen zyrtare të Drejtorisë së Administratës Publike (dap.gov.al), ka të disa shpallje për vende vakante në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

Në këto kushte, duket se qëllimi i këtij ndryshimi nuk është DAP apo Shërbimi Civil, por ndryshimi i punonjësve sipas dëshirave partiake. Me Kodin e Punës, drejtuesi i AKU apo i çdo institucioni, mund të shkarkojë këdo nga detyra dhe mund të emërojë këdo në vend të tyre dhe dëmi në Buxhetin e Shtetit do të jetë më i vogël, pasi të larguarve nuk  iu lind më e drejta të kthehen në vendin e punës me vendim gjykate, apo të marrin pagën mujore deri në rikthim në detyrë.

Kjo tentativë për të ndryshuar bazën ligjore të funksionimit të AKU, nuk i shërben aspak përmirësimit të cilësisë së punës. Paraardhësi në detyrë i drejtorit aktual të AKU, nuk e kishte aspak të vështirë të largonte njerëz nga detyra, që në gjykimin e tij, nuk plotësonin kriteret për të qëndruar në atë vend pune. Bënte dokumentacionin, ngrinte komisionet displinore dhe i shkarkonte. Po ashtu, i kërkonte zyrtarisht DAP-it shpalljen e vendeve vakante, dërgoheshin kriteret për pozicionet dhe nuk ishte aspak pengesë Ligji “Për Shërbimin Civil” dhe as Drejtoria e Administratës Publike. Sigurisht, me këtë ligj dhe me DAP nuk mund të plotësohen të gjitha orekset politike, partiake apo personale të drejtuesve të AKU, ose të ndonjë institucioni tjetër, por funksionon më mirë dhe më i qetë institucioni e punonjësit e tij. Mbi të gjitha, as Ligji “Për Shërbimin Civil” dhe as DAP nuk pengojnë asnjë drejtues që të largojë nga detyra të paaftët, ata që abuzojnë me detyrën dhe shkelin ligjit, siç dhe nuk pengojnë emërimët e reja kundrejt konkursit.

Ndërkohë që, punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të AKU dhe në 12 drejtoritë rajonale janë të trembur nga “fshesa e pritshme”, nëse ky institucion del nga shërbimi civil, ende nuk dihet se në ç’fazë është dëshira e drejtorit të këtij institucioni për këto ndryshime drastike, të cilat do të sjellin largimin nga puna të të gjithë punonjësve, sipas dëshirave të drejtuesve të insitucionit dhe emërimin në vend të tyre të të njerëve, po sipas të njëjtave dëshira. Ndërkaq, nëse ndodh, kush do të kujdeset sadopak për sigurinë ushqimore? Të emëruarit e rinj nga ekselenca?

©Alertnews.al / Granit Sokolaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here