Hedhja e pakontrolluar e inerteve në detin e Durrësit po i shkakton ekosistemit pasoja të rënda. “Ndërhyrjet në vijën bregdetare dhe sidomos ato në mjedisin detar janë me pasoja në florën dhe faunën detare, në botën bimore e shtazore. Aq më tepër që në vijën bregdetare të qytetit të Durrësit janë luginat e Posedonias, një algë mjaft e rëndësishme për botën e gjallë ujore”, thotë per Top Channel, Ilir Qesja  specialist mjedisi.

Disa pronare subjektesh shprehen se nuk janë të vetëm ata problem, por edhe bashkia e qytetit. Ajo ka hedhur tonelata të tëra inertesh të siguruara nga gërmimet për rehabilitimin e sheshit para hyrjes së portit,“Velierës”, me qëllim krijimin e sipërfaqeve të reja publike duke shfrytëzuar hapësirën detare.

Ndërsa subjektet tregtare kanë krijuar mole për të ofruar shërbim për klientelën,gjatë sezonit turistik. Ekspertët e mjedisit thonë se masat duhet të jenë urgjente për ta ndalur fenomenin.

“Është mjaft i çuditshëm pasiviteti i organeve që duhet ta mbrojnë këtë, Inspektoratit të Mjedisit dhe IKMT-së. Këto organe ligjzbatuese kanë një pasivitet të çuditshëm dhe Prokuroria duhet të veprojë ndaj ndërtimeve dhe ndërhyrjeve abuzive në vijën bregdetare. Ka ardhur koha t’i thuhet Stop! Kjo është një pasuri e jona e përbashkët. Të rendurit pas përfitimeve të çastit do të shoqërohet me pasoja mjaft negative në brezat e ardhshëm”, thotë Qesja.

Në Inspektoratin e Mjedisit Durrës thonë se kjo gjendje i kapërcen kompetencat e tyre dhe se përgjegjëse për këtë janë Bashkia dhe IKMT-ja. E ndërsa përgjegjësia kalon nga një organ e institucion në tjetrin, vija detare e Durrësit nga Currilat deri në Plazh vazhdon të degradojë.

/Alertnews

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here