Në qeveri po përgatitet një draft, që ka të bëjë me riorganizimin e Trupave Inspektuese të Inspektorateve Shtetëror ekzistues, Agjencive dhe Drejtorive, të cilat kryejnë procedura inspektuese. Objektivi i këtij projekti është riorganizimi i trupave inspektuese shtetërore sipas fushave të inspektimit me funksione të ngjashme inspektuese, për të shmangur mbivendosjet e kompetencave ligjore, si dhe për një menaxhim dhe koordinim më të mirë të ISH-ve.

Projektligji është ende në procesin e diskutimit. Trupat inspektuese janë të organizuara sipas parimit “një inspektorat për një ministri”, por për fusha inspektimi të veçanta ka raste përjashtimore.  Aktualisht trupat inspektuese janë të organizuara në inspektorate shtetërore dhe vendore. Trupat inspektuese janë gjithsej 15, dhe të ndara sipas fushave të ministrive të linjës. Nisur nga mbikëqyrja e veprimtarisë inspektuese të Inspektorateve Shtetërore, është konstatuar se ka mbivendosje të disa funksioneve inspektuese midis inspektorateve të ndryshme, të cilët inspektojnë në mënyrë të pavarur, për të njëjtën fushë inspektimi, duke rënduar biznesin dhe rritur kostot e tepërta financiare të buxhetit të shtetit.

Përveç inspektorateve dhe trupave inspektuese, ekzistojnë edhe institucione të tjera, të cilat, megjithëse ushtrojnë funksione inspektimi, nuk janë nën mbikëqyrjen e Inspektoratit Qendror.

Për zbatimin e parimit të ligjit të inspektimit, sugjerohet riorganizimi i të gjitha trupave inspektuese me funksione të përbashkëta ose të ngjashme inspektuese. Kjo, për rritjen e transparences, efikasitetit të trupave inspektuese, uljen e barrës administrative ndaj biznesit, si një hap i rëndësishëm i goditjes së korrupsionit gjatë procesit të inspektimeve.

Propozimet

Propozohet të krijohet Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë dhe Ushqimit, si një mega-inspektorat, i cili duhet të jetë përgjegjës për kontrollin e sigurimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe zinxhirit ushqimor, duke siguruar mbrojtjen e interesit publik, ku të jenë pjesë përbërëse edhe këto institucione: Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; Inspektorati Shtetëror Shëndetësor; Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore; Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës; Drejtoria e Shërbimit Veterinar; Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet; Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor; Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës.

Institucioni i dytë i madh do të ishte Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Territorit, ku të bashkohen institucionet me struktura inspektuese si: Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit; Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit; Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura; Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Këto institucione janë përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fushën e mbrojtjes së mjedisit, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit, pyjeve e kullotave, monitorimin e cilësisë së ujërave, mbrojtjen e zonës bregdetare dhe veprimtarive turistike, si dhe turizmin, duke siguruar një mbrojtje sa më efikase të mjedisit që na rrethon.

Nga ana tjetër, propozohet krijimi i Inspektoratit Shtetëror të Teknikës dhe Teknologjisë, strukturë që do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore dhe shërbimeve të destinuara për konsumatorët, sipas legjislacionit për sigurinë e përgjithshme të produkteve jo ushqimore dhe legjislacionit për tregtimin e mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore. Pjesë në këtë inspektorat mendojmë se duhet të jenë: Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial; Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencën në Miniera; Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (MM); Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

Është menduar që Inspektorati Shtetëror i Teknikës dhe Teknologjisë, do të mbulojë të gjitha inspektimet për mallra, që tregtohen duke përfshirë edhe: naftën dhe gazin; pajisjet nënpresion; pajisjet elektrike; materialet e ndërtimit, në pikat e prodhimit apo shitjes së tyre.

Një tjetër fushë kontrolli do t’i takonte Inspektoratit Shtetëror të Transportit dhe Infrastrukturës, si inspektorat që mbikëqyrës dhe kontrollin sektorin e infrastrukturës dhe transportit rrugor, detar, hekurudhor dhe të aviacionit, ku pjesë përbërëse mund të jenë: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor; Autoriteti i Aviacionit Civil; Drejtoria e Përgjithshme Detare; Drejtoria e Inspektimit të Hekurudhave; Inspektorati Teknik i Digave dhe Dambave. Të gjitha këto institucione do të organizoheshin në një njësi të përbashkët, për t’u ofruar e garantuar përdoruesve të transportit civil, se shërbimi ndaj tyre apo mallrave do të jetë në përputhje me kriteret që përcaktojnë ligjet sektoriale. Aktualisht të gjitha këto institucione nuk kanë një bërthame të vetme organizuese e koordinuese.

Ndërkohë, një tjetër fush do të mbulohej nga Inspektorati Shtetëror i Ekonomisë, ku pjesë e këtij inspektorati do të ishin: Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut; Drejtoria e Hetimit Tatimor; Drejtoria e Hetimit Doganor. Sipas hartuesve të draftit, Inspektorati Shtetëror i Ekonomisë, do të garantojë ligjshmërinë për mbikëqyrjen e tregut si dhe të interesave për sa i përket anës financiarë dhe fiskale, duke siguruar tatimpaguesit, administratën tatimore, agjentët tatimorë, agjentët e mbajtjes së tatimit në burim, si dhe për persona të tjerë, të përcaktuar nga legjislacioni tatimor duke patur veprimtari inspektuese dhe vënë masë administrative, dhe për rrjedhojë duhet të grupohen në këtë inspektorat të vetëm.

Ndërsa Inspektorati Shtetëror i Çështjeve Sociale mendohet që të mbikëqyrë legjislacionin e punës dhe sigurimeve shoqërore, si dy detyrime me natyrë fiskale dhe që kanë të bëjnë me pagesa të lidhura me punën dhe si të tilla duhet të evidentohen nga ky Inspektorat. Aktualisht, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, kontrollon zbatimin e legjislacionit të punës nga të gjithë punëdhënës e punëmarrës. Sugjerimi është që t’i bashkohen edhe disa institucione të tjera që kanë në fokus zbatueshmërinë e legjislacionit të punës, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si më poshtë: Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Instituti i Sigurimeve Shoqërore; Instituti i Sigurimeve Shëndetësore; Inspektorati Shtetëror i Arsimit; Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Marrë nga Shqiptarja.com

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here