Albanian Food Indystry: Të ndërmerren masa, skema e TVSH po falimenton prodhuesit

0
137

Albanian Food Indystry dhe kompani shqiptare, prodhuese e përpunuese, i kërkojnë qeverisë ndërhyrjen e menjëhershme në ligjin për TVSH-në, e cila sipas tyre, i rrënon financiarisht, ndikon në të gkjithë zinxhirin, në sigurinë ushqimore, por edhe në xhepat e konsumatorëve.

Deklarata:

Në Dhjetor 2018-të, në kuadër të paketës fiskale, veç të tjerash ka pasur një ndërhyrje në nivelin e TVSH-së së produkteve bujqësore. Ndërhyrja ka qenë vetëm kaq: “Fjala 20 % zëvendësohet me fjalën 6%”.

Për këtë ndryshim nuk ka deri më sot asnjë udhëzim. Udhëzimi në fuqi është ai i vitit 2014-të.

Duke i konsideruar këto ndryshime drastike dhe fatale për të gjithë sektorin e prodhimit bujqësor primar dhe industritë agropërpunuese, që në datën 5 Dhjetor 2018, e në vijim i jemi drejtuar me shkresa dhe kemi marrë takime me funksionarë të të gjitha niveleve të Ministrisë së Bujqësisë, Financave dhe Sipërmarrjes, drejtues të Komisioneve parlamentare të Veprimtarive Prodhuese dhe Financave, si edhe Kabinetin e Kryeministrit ku përveç shpjegimit të pasojave të kësaj vendimmarrje kemi kërkuar të na vihen në dispozicion relacione, studime, opinione, proces verbale të konsultimit publik, në të cilat është mbështetur marrja e këtij vendimi. Kështu, kemi kerkuar të dimë:

a është përllogaritur sa do të jetë kostoja e kësaj takse të re për prodhimin primar bujqësor vendas. Sipas përllogaritjeve tona kjo kosto tejkalon vlerën e 100 milion EUR në vit.

nëse është përllogaritur, a ka ndonjë parashikim se kush do ta mbajë këtë barrë të re fiskale:

Fermerët përmes çmimeve 14% më të ulëta të shitjes.

Konsumatorët përmes çmimeve 10-14% më të larta të produkteve në treg

Apo industritë përpunuese të cilat punojnë me norma fitimi jo më të larta se 7-10% dhe duhet të paguajnë Cash këtë barrë të re fiskale, e cila është e barabartë apo edhe më e lartë se norma e tyre e fitimit.

Natyrshëm që këtë kosto vetëm industria nuk mund ta paguajë pasi siç edhe është verifikuar tashmë, industritë e prekura nga ky vendim kanë bilanc me humbje për muajin Janar 2019. E vetmja alternativë për agropërpunimin është që fermerët të formalizohen dhe të japin fatura tatimore normale, pasi siç dihet sot mbi 95% e prodhimit primar bujqësor tregtohet informalisht ose me autofaturë. Në këtë kontekst, e në kuadër të kësaj vendimmarjje shtrojme pyetjet:

A ka Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Ministria e Financave një strategji për formalizimin e fermerëve meqëllim që ata të fillojnë të shesin me fatura tatimore të rregullta me nivel TVSH 20%

Nëse po, për sa kohë mendohet të ndodhe ky formalizim, disa jave, muaj apo vite

Në të gjitha rastet kjo barrë e re fiskale do të shoqërohet me:

uljen të fuqisë blerëse veçanërisht nga shtresat në nevojë të cilat janë edhe konsumatorët kryesorë të prodhimit vendas,

rritje të importeve për shkak të uljes së konkurrueshmërisë së prodhimit vendas, i cili nga kjo barrë e re fiskale do të humbasë 10%, ndërkohë që produktet e importit për shkak të rënies së EUR mund të jenë aktualisht 15% më të lira, cka do të thotë se prodhimi bujqësor e ushqimor vendas është afër 25% më pak konkurrues në krahasim me dy vite më parë.

Rënie e prodhimit bujqësor primar vendas e rrjedhimisht ulje e interest te fermereve për angazhim në bujqësi e blegtori e reduktim i numrit të krerëve dhe potencialit prodhues

Ulje e prodhimit industrial që do të shoqërohet me rritje të kostove të përgjithëshme e rrjedhimisht ulje e fitimit dhe aftësisë ri-investuese. Kjo do të shoqërohet me rënien e vendeve të reja të punës që krijohen nga ky sektor.

E gjithë kjo barrë e re fiskale do të jetë një shtytës i fuqishëm për informalizimin dhe rikthimin prapa të gjithë proceseve formalizuese të ndoshura në 3-4 vitet e fundit. Ky informalitet do të shoqërohet me:

Cënim të rëndë të sigurisë ushqimore

Ulje e aftësisë së bizneseve për kredimarrje pranë institucioneve financiare për zhvillim të mëtejshëm, për shkak të bilanceve të reduktuara si nga rënia e prodhimit real ashtu edhe nga informaliteti. Madje mund të figurohet edhe rritje e kredive të këqija për shkak të paaftësisë paguese të biznesit të gjendur në këtë “kurth” fiscal të paparalajmëruar.

Rënie e të ardhurave të qendrueshme në buxhetin e shtetit për shkak të informalitetit galopant që do të ndodhë

Së fundmi dëshirojmë të theksojmë se kjo vendimmarrje bie ndesh dhe cënon parimin dhe ligjin e TVSH. Përmes kësaj vendimmatrrje është krijuar një situatë unikale jo vetëm në Shqipëri por kudo ku vepron ky ligj që blerja dhe shitja me të njëjtin çmim krijon detyrim për pagim TVSH-je.

Të bindur se nuk ka asnjë argument ligjor e logjik që mbështet këtë vendimmarrje i kërkojmë Qeverisë dhe Institutvioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt të jetë e mundur për vendosjen e normalitetit në sistemin fiscal të sektorit të bujqësisë dhe agroindustrisë. Në këtë kontekst do të propozonim barazimin e nivelit të TVSH në blerje e shitje në masën 6% për produktet bujqësore dhe ushqimore bazike për jetën e njeriut si: builmeti, mishi, buka, uji etj. Këtë kërkesë e bazojmë:

Së pari në solidaritetin social me shtresat në nevojë të cilat duhet të taksohen minimalisht për nevojat bazë jetike sic është ushqimi.

 Së dyti në harmozimin e legjislacionit fiscal për produktet bazë ushqimore me të gjitha vendet e rajonit dhe Europës të cilët aplikojnë nivel TVSH nga 4-10%, në vartësi të TVSH standarte.

Së treti jemi të bindur se ky nivel i TVSH-se do të cojë drejt zerimit të informalitetit, do të rrisë sigurinë ushqimore, do të krijojë kushte më të mira të konkurrueshmërisë të prodhimit vendas në treg duke mos ndikuar pothuaj aspak në nivelin e të ardhurave të buxhetit.

Si gjithmonë zgjidhjet i presim nga bashkëpunimi luajal me Qeverinë dhe jemi besimplotë se në fund të këtij procesi të gjatë konsultativ dhe debatues do të fitojë arsyeja dhe ligji.

AlertNews.al – Enkeleda Muka

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here